Gjatë udhëtimit, Majlak vizitoi disa nga destinacionet më të njohura dhe piktoreske të vendit, mes tyre Gjirokastrën dhe Dhërmiun, duke u shprehur i impresionuar nga natyra, peizazhet dhe atmosfera që ofron Shqipëria.
Në video, ai nuk kurseu vlerësimet për vendin tonë, madje u shpreh se kishte ngrënë ushqimin më të mirë të jetës së tij gjatë qëndrimit në Shqipëri. Përveç gastronomisë, Majlak u ndal edhe te disa veçori që i tërhoqën vëmendjen, si shitja e produkteve përgjatë autostradave dhe muzika shqiptare, të cilat i konsideroi mjaft interesante.
Një moment që ka bërë xhiron e rrjetit ishte edhe komenti i tij për vajzat shqiptare. Ai i cilësoi ato si “shumë simpatike”, duke i quajtur madje “Puerto Rikanet e Europës”, por shtoi me humor se ato nuk u kushtojnë aspak vëmendje djemve.
“Mund të jesh duke ecur, t’u thuash ‘ç’kemi’ dhe ato thjesht nuk të hedhin sytë,” tha ai me të qeshur.
Majlak u shpreh gjithashtu se Shqipëria është një vend ku mund të jetosh me shumë komoditet.
“Këtu mund të jetosh si mbret. Nëse do të isha milioner, do të shpërngulesha këtu për të jetuar,” – u shpreh ai.




