Sipas tij protesta paqësore është një mjet legjitim i shprehjes së pakënaqësisë dhe duhet trajtuar si pjesë normale e një shoqërie demokratike. Megjithatë, ai nënvizon se detyra e qeverisë nuk është të merret me protestat, por të fokusohet te puna dhe përgjegjësitë e saj.
“Qeveria nuk është për të qarë protestën, me të e prej saj; qeveria është për të qeverisur!Qeverisni! Këtë bëni, qeverisni”, thotë Braçe duke i bërë kështu thirrje kryeministrit Edi Rama që të fokusohet te qeverisja e vendit dhe të vijojë me punën.
Sipas tij vendin e pret një periudhë e vështirë kjo për shkak të kushteve të motit dhe temperaturave të larta, duke theksuar nevojën për gatishmëri ndaj zjarreve, kujdes për shëndetin e qytetarëve dhe garantimin e shërbimeve bazë, veçanërisht gjatë sezonit të verës dhe fluksit turistik.
Reagimi i plotë i Erion Braçes:
O le le o le le protesta nuk është qeverisje!
Protesta paqësore është një e drejtë legjitime, element thelbësor i demokracisë;
Duhet të mësohemi me të, ta pranojmë si të tillë; doemos një qeveri nuk është rehat me protestën përballë, por punë e madhe.
Qeveria nuk është për të qarë protestën, me të e prej saj; qeveria është për të qeverisur!
Qeverisni! Këtë bëni, qeverisni!
Po hyjmë në një stinë të vështirë – nga pikëpamja e motit, pasojave të tij dhe për këtë shkak nga pikëpamja e shërbimeve;
Po hyjmë në stinën e nxehtë e të thatë dhe fenomeni El Niño – për të cilin po bëhen gati të gjithë që nga java e ardhshme, do të na prekë edhe ne me gjithë emergjencën që ai sjell;




