Sipas deklaratës në reagimin e policisë ndaj protestuesve u evidentuan edhe akte dhune dhe sulme mbi gazetarët të cilët ishin në krye të detyrës për të raportuar ecurinë e protestës.
Unioni ka dënuar dhunën teksa i ka cilësuar si krime që nuk mund të tolerohen. UGSH kërkoi nga Policia e Shtetit të ndalojë dhe vërë para përgjegjësisë ligjore çdo sulmues, agresor, shantazhues dhe intimidues të gazetarëve në detyrë.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon çdo agresion verbal, e aq më tepër fizik ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të mediave, madje dhe mbi automjetet e mediave në krye të detyrës te ndodhura, sot ne Tirane, gjate protestës se qytetareve.
Akte të tilla banditeske janë krim. Ato në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen. Ndërhyrja e protestuesve mbi mikrofonat me logo të reporterëve, ndaj kamerave të operatorëve dhe pjesëtareve te stafeve mediatike në krye të detyrës, janë veprime të dënueshme. Kushdo qofshin ata protestues, veprimet dhe aktet sulmuese të tyre ndaj reporterëve janë një arsye e plotë për të denoncuar dhe paditur ligjërisht.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon gjithë kolegëve të publikojnë dhe afishojnë, me zë dhe figurë, çdo agresion dhe agresor të tyre!
UGSH kërkon nga Policia e Shtetit të ndalojë dhe vërë para përgjegjësisë ligjore çdo sulmues, agresor, shantazhues dhe intimidues të gazetarëve në detyrë.
Kërkojmë nga autoritetet e Policisë së Shtetit të ushtrojnë autoritetin e tyre për garanci, siguri dhe të drejtë ushtrimi të profesionit për gazetarët dhe operatorët, pavarësisht për cilën medie raportojnë.
Aktet e sotme janë veprime kriminale ndaj mediave dhe gazetarëve.UGSH vëren se gjatë të gjitha orëve dhe ditëve të protestave të realizuara në kryeqytet të gjithë reporterët, fotoreporterët dhe operatorët e mediave janë të identifikuar me dokumentat dhe simbolet profesionale. Mjafton ky detaj për të kuptuar dhe respektuar kushdo, paprekshmërinë dhe mbrojtjen e tyre.




