Gjithçka nisi pas një komenti të Rexhajt mbi intervistën e zhvilluar më herët nga Gjoni me kryeministrin Edi Rama. Ai e akuzoi moderatoren se kishte mbajtur një qëndrim të njëanshëm dhe, sipas tij, kishte ushtruar “bullizim” ndaj kreut të qeverisë gjatë bisedës.
“Ti në atë intervistë e bullizove kryeministrin. E shfrytëzove momentin tënd dhe e trajtove me deklarata e fjalë që nuk ishin në rregull,” u shpreh Rexhaj gjatë debatit.
Moderatorja reagoi menjëherë duke e kundërshtuar këtë interpretim dhe i kërkoi të specifikonte se cilat deklarata konkrete i konsideronte si bullizuese. Këmbëngulja e të dy palëve për të mbrojtur qëndrimet e tyre e rriti më tej tensionin në studio.
Situata u përshkallëzua kur Rexhaj vijoi të mbante të njëjtin qëndrim, ndërsa Gjoni i kërkoi të ndiqte rregullat e diskutimit dhe të përgjigjej drejtpërdrejt pyetjeve të saj. Në një moment të nxehtë debati, moderatorja i la të kuptohej se i ftuari mund të largohej nëse nuk pranonte formatin e bisedës.
Rexhaj: Çka dua jam unë, Çfarë problemi ke ti. E keni sjellë punën që nëse reagon është arrogant, nëse nuk reagon është keq, është i dobët.
Gjoni: Unë s’kam bërë asnjë koment.
Rexhaj: Ishte paraqitja jo më profesionale e jotja në historinë tënde.




